Reperi i njohur amerikan Sean “Diddy” Combs po vazhdon betejën e tij ligjore, duke apeluar dënimin në Gjykatën e Apelit të Qarkut të 2-të në Nju Jork.
Avokatët e artistit 56-vjeçar kanë argumentuar se gjatë procesit gjyqësor nuk janë marrë në konsideratë siç duhet provat, duke kërkuar rrëzimin e vendimit. Sipas mbrojtjes, gjyqtari që drejtoi çështjen nuk duhej të kishte përfshirë në vendim akuza për abuzim dhe kërcënime ndaj ish-partnereve, për të cilat Combs ishte liruar.
Diddy aktualisht po vuan një dënim prej më shumë se katër vitesh në një burg federal në New Jersey, pasi u shpall fajtor në vitin 2025 për transportimin e personave me qëllim prostitucioni. Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm për akuza më të rënda, përfshirë trafikimin e seksit dhe organizimin kriminal.
Ekipi i tij ligjor pretendon se ai nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt në aktet e përmendura, ndërsa kundërshton edhe përdorimin e disa provave gjatë dënimit, përfshirë pretendimet për kërcënime ndaj këngëtares Cassandra Ventura dhe një gruaje tjetër të identifikuar si “Jane”.
Nga ana tjetër, prokuroria këmbëngul se këto prova janë thelbësore për të kuptuar mënyrën se si janë kryer veprat penale, edhe pse nuk kanë çuar në dënime për akuza më të rënda.
Vetë Combs ka pranuar disa episode të sjelljes abuzive, por ka theksuar se ato nuk lidhen me akuzat kryesore dhe se marrëdhëniet në fjalë kanë qenë konsensuale.
Sipas autoriteteve, lirimi i tij nga burgu është planifikuar për 15 prill 2028, përveç nëse vendimi ndryshon pas shqyrtimit të apelit.
Burimi: https://www.forbes.com/sites/conormurray/2026/04/09/sean-diddy-combs-heads-to-federal-appeals-court-to-argue-for-release-from-prison
Foto; https://www.instagram.com/diidy_0_0/?hl=en