Home ShowBiz Kërcënoi Alaudin Hamitin, mërgimtari kërkon falje publike në gjykatë
Kërcënoi Alaudin Hamitin, mërgimtari kërkon falje publike në gjykatë
0

Kërcënoi Alaudin Hamitin, mërgimtari kërkon falje publike në gjykatë

0
0

Moderatori i njohur shqiptar, Alaudin Hamiti, ka qenë në qendër të një procesi gjyqësor pas kërcënimeve që kishte marrë nga një mërgimtar nga Kosova. Rasti ka përfunduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku i akuzuari, Liman Berisha, ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje publike.

Sipas aktgjykimit të publikuar nga mediat kosovare, Berisha është dënuar me 2 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale të kanosjes. Gjatë seancës gjyqësore, ai u shpreh i penduar për deklaratat dhe mesazhet kërcënuese të bëra ndaj moderatorit.

“Ndihem fajtor dhe shprehi pendesë për këtë që kam thënë. Nuk kam pasur asgjë personale me Alaudinin dhe kjo është hera e parë që po gjykohem. Premtoj 100 për qind se nuk do të kryej më vepër tjetër dhe i kërkoj falje publike Alaudin Hamitit dhe familjes së tij”, deklaroi ai para trupit gjykues.

Berisha, i cili jeton dhe punon në Itali, tha se rasti ka ndikuar rëndë edhe në jetën e tij personale dhe profesionale.

“Jetoj jashtë dhe kam humbur punën. Për çfarëdo që ka ndodhur jam në gjendje të vij përsëri nga atje vetëm për të kërkuar falje”, u shpreh ai gjatë seancës.

Sipas Prokurorisë, kërcënimet ndaj moderatorit ishin bërë përmes Facebook-ut dhe mesazheve zanore në nëntor të vitit 2024. Në disa prej tyre përdoreshin fjalë fyese dhe kërcënuese, ndërsa përmendej edhe ish-banori i “Big Brother VIP Kosova”, Edin.

Nga ana tjetër, avokatja e Alaudin Hamitit, Blinera Osmani, deklaroi se kërcënimet kishin ndikuar seriozisht në jetën e moderatorit dhe familjes së tij, duke krijuar ndjenjë pasigurie dhe kufizim të lëvizjeve të përditshme.

Rasti ka marrë vëmendje të madhe në opinionin publik në Kosovë, duke rikthyer diskutimet mbi gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet në rrjetet sociale ndaj figurave publike.