Filmi “DUA”, që përfaqëson zyrtarisht Kosovën në garën për çmimet Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”, do të prezantohet këtë muaj edhe për publikun në New York.
Në prag të këtij prezantimi, Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York, Blerim Reka, ka zhvilluar një takim me regjisoren Blerta Basholli dhe producentin Valon Bajgora, pjesë e ekipit që qëndron pas realizimit të filmit.
Takimin e ka bërë publik vetë Reka përmes rrjeteve sociale, ku ka ndarë edhe vlerësimin e tij për kontributin e artistëve kosovarë në përfaqësimin e vendit jashtë kufijve.
Sipas tij, filmi “DUA” përcjell një histori që ruan kujtesën dhe e çon atë përtej kufijve gjeografikë. Reka ka theksuar gjithashtu rëndësinë e punës së ekipit krijues, duke i cilësuar ata si përfaqësues të denjë të Kosovës në skenën ndërkombëtare.
“Përmes talentit dhe përkushtimit të tyre, artistët tanë të ‘DUA’-s dëshmojnë se janë ndër ambasadorët më të mirë të Kosovës në botë”, ka shkruar ai.
Në përfundim të mesazhit të tij, Reka ka shprehur krenarinë për punën e realizuar nga ekipi dhe u ka uruar suksese në përfaqësimin e Kosovës në rrugëtimin drejt Oscar-it.