Gazetari dhe moderatori Drini Zeqo ka folur për rëndësinë e leximit në jetën e tij, duke e cilësuar librin si një mënyrë për të zhvilluar imagjinatën dhe për të ndërtuar vetveten.
Gjatë një interviste në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Zeqo tregoi se lidhja e tij me librat është zgjeruar edhe përmes takimeve me autorët, të cilët e kanë ndihmuar të kuptojë më mirë krijimin e historive dhe personazheve.
“Lëvizja drejt një bote që ti nuk e kontrollon dot më, që është imagjinata, ëndrra dhe të ëndërruarit është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një njeriu”, u shpreh ai.
Zeqo kujtoi se një nga shkrimtaret e para që ka takuar ishte Diana Çuli. Pasi kishte lexuar veprën e saj, ai ishte kureshtar të mësonte se si ishin krijuar personazhet dhe nëse historitë kishin lidhje me ngjarje të vërteta.
Sipas moderatorit, takimet me shkrimtarë të tjerë i kanë zbuluar edhe qëllimet që qëndrojnë pas një libri, nga përcjellja e mesazheve të caktuara deri te njohja me një kulturë të veçantë.
Për Zeqon, leximi nuk përfundon në faqen e fundit, por vijon përmes reflektimit dhe zbulimit të historive që qëndrojnë pas veprës.