Nga Yvonne Gordon
Rathcroghan është një nga vendet mbretërore më të vjetra në Europë që ende nuk është gërmuar. Tani, një shteg i ri ecjeje u mundëson vizitorëve të zbulojnë monumentet e tij të lashta, përfshirë shpellën që lidhet me zanafillën e Halloween-it.
Nga maja e kodrinës së Rathcroghan-it, në qarkun Roscommon të Irlandës, pamja shtrihet mbi fusha të gjelbra, mure guri dhe bagëti që kullosin. Megjithëse në vështrim të parë duket si një zonë e zakonshme bujqësore, po ta shohësh më nga afër, dallohen dhjetëra struktura të mëdha rrethore prej dheu dhe tuma të lashta varrimi.
Rathcroghan, emri i të cilit në irlandisht do të thotë “fortesa e Cruachan-it”, është një nga komplekset mbretërore më të vjetra dhe më të mëdha në Europë ku ende nuk janë kryer gërmime arkeologjike. Dikur ishte kryeqendra e provincës irlandeze Connacht. Në sipërfaqen e tij prej 6,5 kilometrash katrorë gjenden 266 monumente dhe gjurmë arkeologjike, përfshirë fortifikime rrethore të Epokës së Hekurit, gurë me mbishkrime në alfabetin e lashtë irlandez Ogham dhe puse të shenjta.
Por një nga veçoritë më misterioze të Rathcroghan-it është një kalim që zbret thellë në tokë dhe, sipas mitologjisë, kapërcen perden që ndan botën tonë nga Bota Tjetër kelte. E njohur si “Porta e Ferrit” e Irlandës, shpella konsiderohet vendlindja e traditave të lashta që më vonë u shndërruan në Halloween.
“Është një vend magjepsës. Nuk ka shumë vende që mund të pretendojnë se kanë një hyrje për në Botën Tjetër”, thotë John Waddell, profesor emeritus i arkeologjisë në Universitetin e Galway-t.
Meqë shumë prej monumenteve të Rathcroghan-it ndodhen në toka bujqësore private, më parë vizitorët mund të arrinin vetëm te disa prej tyre me makinë. Por tashmë, Shtegu Arkeologjik i Rathcroghan-it, një itinerar i ri rrethor prej 13 kilometrash, lidh pikat kryesore të kompleksit. Ai u jep udhëtarëve mundësi të reja për ta eksploruar zonën dhe për të kuptuar më mirë lidhjet mes monumenteve të saj të lashta.