1. Home
  2. Aktualitet
  3. A u vra Jeffrey Epstein në qeli? Eksperti analizon fotografitë e autopsisë dhe ngre dyshime të forta!
A u vra Jeffrey Epstein në qeli? Eksperti analizon fotografitë e autopsisë dhe ngre dyshime të forta!
0

A u vra Jeffrey Epstein në qeli? Eksperti analizon fotografitë e autopsisë dhe ngre dyshime të forta!

0
0

Një analizë e re mjeko-ligjore mbi vdekjen e Jeffrey Epstein ka rikthyer dyshimet për rrethanat në të cilat ndërroi jetë financieri amerikan në burg, në vitin 2019, bëhet e ditur përmes një artikulli të “La Stampa”. Pas shqyrtimit të fotografive të autopsisë dhe dokumenteve të tjera, eksperti i mjekësisë ligjore, Michael Freeman, pretendon se dëmtimet në trupin e Epstein nuk përputhen me një vetëvrasje përmes varjes, por mund të tregojnë për një sulm fizik.

“Fotografitë e autopsisë së Jeffrey Epstein tregojnë se ai u vra. Dëmtimet e dokumentuara nga mjeku ligjor nuk përputheshin me një vetëvrasje përmes varjes. Për më tepër, plagët në pjesën e pasme të trupit nuk mund të shpjegoheshin ndryshe, përveçse si pasojë e mundshme e një përleshjeje ose sulmi, por ato thjesht u injoruan”, deklaroi Freeman.

Eksperti, drejtor i revistës “Journal of Forensic and Legal Medicine”, i prezantoi përfundimet e tij në një takim me specialistë të mjekësisë ligjore në Londër. Për analizën, ai shqyrtoi fotografi të autopsisë dhe imazhe të tjera që i ishin vënë në dispozicion nga vëllai i Epstein.

Një nga elementet që tërhoqi vëmendjen e tij ishin shenjat në qafën e Epstein. Sipas Freeman, fotografitë tregojnë dy shenja me kënde dhe pozicione të ndryshme, ndërsa autopsia zyrtare kishte dokumentuar një dëmtim të vetëm, të përshkruar si karakteristik për varjen.

“Kur e pashë këtë fotografi, reagimi im i parë ishte se bëhej fjalë për një dëmtim me pamje shumë të pazakontë për një rast varjeje”, tha ai.

Sipas tij, në autopsinë zyrtare të kryer më 11 gusht 2019, një ditë pas gjetjes së trupit të Epstein, dëmtimi në qafë ishte përshkruar si i pjerrët, një karakteristikë që përputhet me rastet e varjes. Megjithatë, Freeman pretendon se fotografitë tregojnë edhe një shenjë të dytë, më poshtë në qafë dhe me një kënd tjetër, e cila nuk mund të shpjegohet nga i njëjti mekanizëm.

Eksperti kundërshton gjithashtu mundësinë që dëmtimet të jenë shkaktuar nga vetë Epstein gjatë një tentative të dështuar për vetëvrasje.

“Nuk kështu ndodhin vetëvarjet që përfundojnë me vdekje. Trupi humbet ndjenjat dhe më pas është pesha e tij që shkakton dëmtimet. Nuk ka një hov apo kërcim drejt litarit. Një dinamikë e tillë nuk është realiste dhe nuk përputhet me rastet e përshkruara në literaturën mjeko-ligjore”, shpjegoi Freeman.

Përmes analizave biomjekësore dhe modeleve tredimensionale, ku është përdorur edhe inteligjenca artificiale, ai shqyrtoi dëmtime të tjera në trupin e Epstein. Sipas tij, hemorragjia në indet e buta të shpatullës së majtë dhe dëmtimi në shpinë nuk mund të shpjegohen nga një vetëvarje.

“Ne kemi shumë dëmtime të tjera që nuk mund të shpjegohen nga një varje e kryer për qëllime vetëvrasjeje. Pavarësisht se si u gjet ky person, nga vijnë këto plagë të tjera? Si shpjegohet hemorragjia e thellë në indet e buta të shpatullës së majtë? Po dëmtimi në shpinë? Për këto nuk ka përgjigje, përveç rastit kur ai është rrahur rëndë në të njëjtën kohë me vdekjen”, u shpreh eksperti.

Dyshimet shtohen edhe nga disa dokumente të publikuara në kuadër të dosjeve Epstein, të cilat evidentojnë parregullsi në burgun ku ai mbahej. Sipas materialeve, gardianët që ishin në shërbim natën e vdekjes nuk u morën në pyetje nga mjeku ligjor, ndërsa disa prej tyre dyshohet se kishin falsifikuar raportet dhe kishin dhënë deklarata të pavërteta.

Në mesazh, prokurori kërkon një kopje të marrëveshjes së konfidencialitetit që zyra kishte nënshkruar në lidhje me hetimin.

“Jam një prokuror në Distriktin Lindor të Nju Jorkut. Po punoj për një hetim mbi vdekjen e një të burgosuri në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn. Zyra e Mjekut Ligjor më ka informuar se ka nënshkruar një marrëveshje konfidencialiteti në lidhje me hetimin për vrasjen e Jeffrey Epstein. Ne shpresonim të kishim një marrëveshje të ngjashme dhe doja të dija nëse mund të ndanit me ne një kopje të saj ose një model standard”, thuhet në mesazh.

Sipas “La Stampa”, ky komunikim nuk mori asnjë zhvillim të mëtejshëm në institucionet e drejtësisë amerikane. Materiali ngre pikëpyetje të reja mbi rrethanat e vdekjes së Epstein, por pretendimet e ekspertit dhe dokumentet e përmendura nuk përbëjnë, në vetvete, një provë përfundimtare se ai është vrarë.