Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka reaguar pas shpalljes së artistëve të nominuar për çmimet “Grammy Awards 2027”, ku këtë herë nuk arriti të sigurojë një nominim në asnjë prej kategorive.
Edhe pse albumi i saj “Dirty Blonde”, i publikuar gjatë këtij viti, si dhe kënga “New Religion”, në bashkëpunim me grupin Faithless, kanë tërhequr vëmendje të konsiderueshme, emri i artistes mungon në listën e të nominuarve.
Një prej këngëve që pritej të ishte pjesë e garës ishte pikërisht “New Religion”, e cila ndërthur edhe elemente nga hiti i njohur “Insomnia” i grupit Faithless. Pritshmëritë ishin që bashkëpunimi të konkurronte në kategorinë “Best Dance Pop Recording”, por kjo nuk ndodhi.
Pas publikimit të listës, këngëtarja nuk e fshehu zhgënjimin. Ajo reagoi fillimisht në platformën X, duke ndarë një emoji që shprehte trishtim.
Më vonë, Bebe iu drejtua ndjekësve me një mesazh falënderimi për mbështetjen e treguar, duke nënvizuar se vlerat e një kënge nuk përcaktohen nga fakti nëse ajo merr apo jo një nominim.
“’New Religion’ mbetet një këngë e mrekullueshme, pavarësisht nëse merr apo jo nominim. Ju dua që kujdeseni kaq shumë”, shkroi këngëtarja.
Përmes këtij reagimi, Bebe Rexha duket se ka dashur t’u përgjigjet fansave që shprehën zhgënjimin e tyre për mospraninë e saj në nominimet e këtij edicioni, duke i falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme.