Home Aktualitet Largohet Gianni De Biasi dhe shkruan letër ‘Lamtumire’
Largohet Gianni De Biasi dhe shkruan letër ‘Lamtumire’
0

Largohet Gianni De Biasi dhe shkruan letër ‘Lamtumire’

0
0

Shqipëria nuk ka momentalisht një trajner zyrtar të Kombëtares edhe pse të gjithë e kanë trajnerin e zemrës. Në 5 vite e gjysmë udhëheqje të skuadrës sonë të futbollit, Gianni De Biasi solli arritje dhe emocione të shumta, sidomos gjatë euro 2016, ndjesi që nuk i kishim përjetuar kurrë më parë. Krejt papritur trajneri ka dhënë dorëheqjen për t`i larguar. Ka shkruar një letër “lamtumire” të cilën e ka lexuar në një konferencë për shtyp. Përshkruan më së miri rrugëtimin e tij, por jo arsyet që u detyruan të dorëhiqej.

Letra e “lamtumirës”:
Kjo është një faqe e përvojës sime profesionale në Shqipëri, që kurrë nuk do të kisha dashur ta shkruaja. Kam menduar e medituar gjatë dhe dëshiroj t’iu informoj se, duke nisur nga sot nuk do të jem më trajneri i Kombëtares sonë.

Do të ndalem këtu, sepse dëshiroj të mendoj për të mirën dhe rritjen e ekipit. Besoj se kam përmbushur detyrën time, e cila më ka lejuar mua për të nxjerrë nga këta djem, ato cilësi që në të kalurën e afërt kanë bërë të mundur të jetojmë ëndrrën europiane.

Atë ëndërr, që në ndeshjen e parë në Gjeorgji, nëpërmjet asaj letre të hapur kisha kërkuar të ngulitja në kokën e tyre dhe në zemrën e tyre.

Është një zgjedhje profesionale shumë luftarake, e vështirë. Uroj që të arrini ta kuptoni, edhe pse jo të gjithë mund ta pranojnë. Kemi jetuar vite të mbushura plot emocione dhe kënaqësi, e kemi arritur rezultate me të vërtetë të rëndësishme, që shumë i konsideronin të pamundura.

Gjatë gjithë kësaj kohe kam punuar gjithmonë me pasion të madh, me një entuziazëm të ri, falë edhe rezultateve dhe euforisë ngjitëse të të gjithë shqiptarëve, atyre në Atdhe dhe atyre të shpërndarë nëpër botë. Impenjimi im i përditshëm, përpjekja për t’iu transferuar djemve një mentalitet të ri, një mentalitet fitues.

Angazhimi i vazhdueshëm së bashku me gazetarët tuaj, i mediave për t’iu kaluar një komunikim korrekt, transparent, proaktiv, ka qenë një punë e detajuar dhe vazhdimisht e mundimshme, e ndonjëherë edhe e bezdisshme.

Dëshiroj të theksoj se sot largohem nga udhëheqja e Kombëtares, duke mos pasur një ekip në të cilin të punoj, ndërkohë që gjatë këtyre viteve gjithmonë kam rezistuar ndaj tundimeve të ofertave të punës, duke ditur që vendi im ishte në udhëheqjen e djemve tanë, drejt një rritjeje të qëndrueshme në drejtim të realizimit të tyre.

Pas Europianit isha vendosmërisht i bindur që mund të përmirësonim më tej dhe se përvoja që patëm gjatë 3 ndeshjeve në Francë do të na lejonte një rritje të mëtejshme globale. Dhe kështu do të jetë, por me një trajner të ri.

Po largohem me vështirësi, por i vetëdijshëm që cikli im në këtë grup ka përfunduar dhe që mund t’i japë rastin atij që do të më zëvendësojë të njohë djemtë në 4 ndeshjet e ardhshme.

Më lejoni të falënderoj të gjithë ata që bashkëpunuan në rritjen dhe zhvillimin e projektit të Shqipërisë, që na ka çuar të ishim deri edhe në vendin e 22-të të renditjes së FIFA-s, që na ka mundësuar të mundim Norvegjinë jashtë shtëpie, të fitonim e barazonim kundër Francës, e të fitonim kundër Portugalisë, i mundur pas nesh deri në pushtimin e Euro 2016. Dhe më në fund për të arritur ëndrrën tonë…

Dëshiroj me këtë rast të falënderoj publikisht ata, të cilët më dhanë këtë mundësi të madhe. Presidentin Armando Duka, që gjithmonë më ka mbështetur dhe më ka dhënë letrën e bardhë për të vepruar në rolin tim si përzgjedhës. Një falënderim të përzemërt të gjithë djemve, që gjatë të gjithë kësaj kohe kanë qenë pjesë e ekipit. Faleminderit për gjithçka që më keni dhënë, që keni dhënë për fanelën tonë. Është një përvojë që më ka pasuruar si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë njerëzor. Më keni befasuar me përkushtimin tuaj dhe përfshirjen tuaj në sfidën tonë.

Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, veçanërisht Paolo Tramezzanit, shok udhëtimi që nga dita ime e parë në Shqipëri, gjithmonë i gatshëm për të më mbështetur, i palodhshëm në punën në terren dhe në shumë udhëtime për të takuar lojtarët tanë të rinj.

Albertos, që ka ndjekur përgatitjen dhe rikuperimin e djemve, Ilir Bozhiqi, Ervin Bulku dhe të gjithë stafin teknik: Benny Çeliku, Gianluca Stesina, Filippo Lori, i cili ka trajtuar lojtarët së bashku me Ylli Mihali, Merepeza, Arben Voci dhe të madhin Fatos Kademi, një punëtor i palodhur. Të gjithë njerëz të çmuar dhe madhështorë ekipi.

Për të gjithë njerëzit që punojnë në Federatë, që nuk duken, por që bëjnë një punë të vlefshme për rezultatin përfundimtar. Çdo gjë në futboll, në sport, ashtu si edhe në jetë, ka një fillim të tij dhe një fund.

Kurrsesi nuk mund ta harroja këtu tifozerinë e shkëlqyer shqiptare. Një falenderim shumë i madh për ta, për tifozët tanë të shkëlqyer, lojtarin tonë të 12 në fushë. Gjithmonë të gatshëm të ndjekin ekipin tonë kombëtar me energjitë e jashtëzakonshme dhe ngjyrat e një dekori fantastik.

Cikli im si trajner i Kombëtares ka përfunduar, por asgjë nuk mund të copëtojë kurrë lidhjen e fortë që më lidh me kombin tonë dhe të shumë njerëzve që në këto 5 vite e gjysmë të bukura, pata fatin t’i takoj. Tani fara është mbjellë, po rritet me angazhimin, përkujdesjen dhe punën e të gjithëve, e do të dijë të japë fryte të shkëlqyera. Mirënjohje, Gianni De Biasi!

Burimi i lajmit: http://m.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=357418

Burimi i fotos: © FSHF https://www.facebook.com/giannidebiasi.it/photos/a.10154528103887110.1073741842.43747202109/10154528464662110/?type=3&theater