“Nuk do të thosha domosdoshmërisht se ekziston një trend i bukurisë, por gjëja që më duket më fuqizuese tek gratë kosovare është vetëbesimi i tyre”.
Kjo ishte përgjigja, që këngëtarja Dua Lipa me origjinë nga Kosova ka dhënë në një intervistë të fundit të dhënë për Elle, derisa u pyet “nëse ka ndonjë trend të bukurisë specifike për në këtë zonë?”.
Lipa, si edhe plot hera të tjera, nuk ka hezituar të flasë në emër të grave kosovare, duke i prezantuar ato me krenari.
Ndërkaq, intervista në fjalë është fokusuar në estetikën e grave, kujdesin për lëkurën e flokët si dhe fokusin e Duas në këtë sferë duke marrë parasysh faktin se ajo ka qenë ambasadore globale e markës “YSL Beauty”, dhe jo vetëm,
Dua ka qenë po ashtu edhe imazh i markës “Libre”, e cila tanimë shënon vitin e pestë të funksionimit – Dua ishte në rrugëtim që prej hapjes, në vitin 2019.
“Në çdo fushatë të re vijnë xhirime të reja që na kanë çuar në disa vende të jashtëzakonshme dhe ne kemi kaluar kohën më të pabesueshme në këto grupe”, ka thënë Dua duke folur në cilësinë e fytyrës së “Libre”.
“Më pëlqen të marr gjithçka, nga njerëzit te restorantet dhe muzetë e rinj, dhe të zhytem vërtet në një kulturë tjetër”, ka shtuar ajo pos tjerash.
Dua vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me origjinën e saj, e posaçërisht Shqipërinë, që ka qenë destinacion i pushimeve të saj edhe gjatë kësaj vere.
Madje, në një prej postimeve në llogarinë e saj të Instagramit, ajo e ka cilësuar Shqipërinë si “shtëpinë e saj”.
Kujtojmë, se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i kishte dhënë shtetësinë shqiptare Dua Lipa, vetëm një ditë përpara 110-vjetorit të Pavarësisë dhe koncertit të saj, i cili ishte mbajtur në Tiranë.
Kreu i Shtetit, e kishte pritur artisten shqiptare, së bashku me familjen e saj, për ta nderuar për kontributin që ajo ka dhënë si ambasadore botërore e vendit, përmes artit të saj.
Linku: https://www.elle.com/beauty/a45274008/dua-lipa-ysl-libre-abslou-platine-interview/