“Jam shumë mirë, vijoj të bëj punën time si gjithmonë.” Me këto fjalë u është përgjigjur kryeministrja italiane Giorgia Meloni pyetjeve të bëra nga gazetarët pas ndarjes me ish-partnerin, Andrea Giambruno.
Mediat italaine shkruajnë se kryeministrja ishte në dijeni për praninë e një materiali kompromentues që shikuesit panë në emisionin satirik Striscia la Notizia që transmetohet në Canale 5 ,pjesë e perandorisë mediatike Mediaset e themeluar nga ish-kryeministri i ndjerë Silvio Berlusconi.
Megjithatë, kryeministrja Meloni mësohet se nuk e dinte në detaje përmbajtjen e këtij materiali.
Të Premten Piersilvio Berlusconi, djali i themeluesit të partisë Forza Italia, i telefonoi kryeministres dhe tha se i vinte “shumë keq” për transmetimin e audiopërgjimit të Giambrunos në Mediaset.
“Unë nuk dija asgjë për këtë, përndryshe do t’ju kisha paralajmëruar“ e siguroi Melonin shefi ekzekutiv i Mediaset.
Teksa njoftoi ndarjen, Meloni shtoi se miqësinë me ish-partnerin do ta ruajë për hir të vajzës së tyre 7-vjeçare.