Ka plazhe. Ka male. Por ka edhe banja termale…
Shqipëria në fakt nuk i kursehet asgjëje kur vjen puna te turizmi dhe në fakt pikërisht mbi banjat termale – ato të Bënjës – ndërtohet edhe një vlerësim nga prestigjiozja britanike The Guardian, ku ato përshkruhen si ndër më të preferuarat nga turistët.
“Banjat termale të Bënjës në jug të vendit janë një perlë e vërtetë”, shkruan The Guardian. “Burimet arrihen nga një rrugë shkëmbore, pak me makinë nga Përmeti. Shtrirja përfundimtare duhet të bëhet në këmbë”.
Banja ndodhet pranë lumit Langaricë, një degë e Vjosës, një nga lumenjtë e fundit me rrjedhje të lirë të Evropës. Vizitorët mund ta kalojnë ditën duke u zhytur në burimet natyrore dhe duke u veshur me baltën e pasur me squfur, e cila thuhet se ka veti terapeutike.
E gjithë kjo duke marrë në sy madhështinë e luginës, urën e saj të lashtë prej guri dhe pafundësinë e kaltër të qiellit shqiptar.
Fillimisht në fakt, pak njerëz kanë qenë ata të cilët i vizitonin banjat e Bënjës, kryesisht për vetitë kurative të vendit dhe nga turistët, pak njihej ai vend.
Por tashmë, me lulëzimin e radhës të turizmit shqiptar, është e qartë se edhe vizitorët nuk kërkojnë thjesht plazhe për të marrë rreze, apo male për pamjet mahnitëse dhe ngjitjet sfiduese që ofrohen.
Guidat turistike në zonën e Përmetit po ashtu po i rekomandojnë gjithnjë e më shumë banjat e Banjës, duke i shërbyer edhe rritjes së turizmin në këtë pikë tejet piktoreske të vendit.
Në listë radhiten edhe vende të tjera me famë botërore sa i takon ujërave termale, ku ndër më të famshmet, edhe ato të Szechenyi në Budapest të Hungarisë, me pishinën ikonike gjigande, apo parku termal i Garda-s, pranë liqenit të Garda-s në Itali.
Foto: Freepik.com