Rita Ora ka treguar edhe një herë mbështetjen e saj për Bebe Rexhën, vetëm pak orë pasi këngëtarja shqiptaro-amerikane publikoi albumin e saj më të ri, “Dirty Blonde”.
Të premten, Bebe Rexha solli për fansat albumin e saj të katërt në karrierë, një projekt që shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik. “Dirty Blonde” është albumi i parë që artistja publikon si e pavarur, pas përfundimit të bashkëpunimit me shtëpinë e saj të mëparshme diskografike.
Publikimi i një albumi të ri konsiderohet një nga momentet më të rëndësishme në karrierën e çdo artisti dhe Rita Ora nuk hezitoi të qëndrojë pranë mikeshës së saj në këtë etapë të re profesionale.
Këngëtarja me famë botërore ndau në InstaStory kopertinën e albumit “Dirty Blonde”, duke i ftuar miliona ndjekësit e saj që ta dëgjojnë projektin më të ri muzikor të Bebe Rexhës. Me këtë veprim, Rita i dha edhe më shumë jehonë publikimit të albumit, duke treguar njëherazi mbështetjen dhe miqësinë që i lidh prej vitesh.
Gjestin e artistes e pritën me entuziazëm fansat e të dyja këngëtareve, të cilët kanë ndjekur prej kohësh raportin e afërt mes tyre. Rita Ora dhe Bebe Rexha janë dy nga emrat më të suksesshëm shqiptarë në skenën ndërkombëtare të muzikës, duke arritur të ndërtojnë karriera të rëndësishme dhe të fitojnë miliona admirues në mbarë botën.
Mbështetja publike e Ritës vjen në një moment kyç për Bebe Rexhën, e cila me “Dirty Blonde” hap një kapitull të ri në karrierën e saj, duke marrë kontroll të plotë mbi krijimtarinë dhe projektet e saj muzikore. Fansat tashmë presin të shohin suksesin që do të korrë albumi i ri, i cili po tërheq vëmendje të madhe që në ditët e para të publikimit.
Burimi;https://www.instagram.com/ritaora/
Foto;https://www.instagram.com/ritaora/