Home Lifestyle Kujdesi për mendjen, një hap i rëndësishëm drejt mirëqenies emocionale
Kujdesi për mendjen, një hap i rëndësishëm drejt mirëqenies emocionale
0

Kujdesi për mendjen, një hap i rëndësishëm drejt mirëqenies emocionale

0
0

Mendja është burim i ideve, emocioneve dhe frymëzimit, por kur lihet pa vëmendje mund të ndikojë ndjeshëm në gjendjen tonë emocionale dhe mënyrën se si përballemi me përditshmërinë.

Ekspertët e psikologjisë theksojnë se shpesh kujdesemi për trupin, punën apo detyrat e tjera të jetës, ndërsa neglizhojmë gjendjen tonë mendore. Mendja mund të krahasohet me një sistem të brendshëm që ka nevojë për kontroll, mirëmbajtje dhe vëmendje të vazhdueshme për të funksionuar në mënyrë të shëndetshme.

Mendimet që përsërisim, mënyra si e shohim veten dhe çështjet e pazgjidhura emocionale ndikojnë drejtpërdrejt në humorin, reagimet dhe marrëdhëniet tona. Për këtë arsye, ndalimi për të kuptuar se çfarë po ndodh brenda nesh mund të shmangë përkeqësimin e një momenti të vështirë.

Kur ndiheni të irrituar, të lodhur, të stresuar ose të rënduar emocionalisht, nuk do të thotë domosdoshmërisht se jeni “në humor të keq” pa arsye. Pas kësaj gjendjeje mund të fshihen lodhja fizike, ankthi, një zhgënjim, presioni nga afatet, konfliktet personale apo një shqetësim që nuk është përpunuar ende.

Një qasje e thjeshtë që mund të ndihmojë është të bëni pauzë dhe t’i drejtoni vetes disa pyetje: Çfarë po më shqetëson? Çfarë po kërkon vëmendjen time? A jam e lodhur, e lënduar, e stresuar apo po shmang diçka?

Në vend të gjykimit të vetes, rekomandohet që këto momente të trajtohen me kuriozitet dhe mirësi. Ndonjëherë zgjidhja mund të jetë pushimi, vendosja e një kufiri, një bisedë me dikë të afërt apo kërkimi i ndihmës profesionale.

Nuk mund t’i kontrollojmë gjithmonë mendimet dhe ndjenjat që na shfaqen, por mund të mësojmë t’u përgjigjemi atyre me më shumë vetëdije. Kujdesi për mendjen nuk është luks, por një pjesë e domosdoshme e mirëqenies sonë të përditshme.

Burimi;https://www.psychologytoday.com/us/blog/human-and-complex/202608/a-well-tended-mind

Foto; Freepik.com