Rita Ora ka treguar se mban gjithmonë pranë një varëse të personalizuar me kristale, të cilën e konsideron si një burim qetësie, energjie pozitive dhe mbrojtjeje mes ritmit të ngarkuar të karrierës së saj.
Në një intervistë për The New York Times, këngëtarja me origjinë shqiptare zbuloi se varësja ishte dhuratë nga një prej shoqeve të saj më të ngushta për 34-vjetorin dhe është krijuar posaçërisht sipas nevojave të saj shpirtërore.
“Është një lloj objekti që më ndihmon të çliroj stresin dhe të ruaj energjinë time. Në këtë industri është shumë e lehtë të humbasësh ekuilibrin, ndaj kjo më ndihmon të qëndroj e përqendruar”, u shpreh Rita.
Varësja përmban citrin për energji pozitive dhe gëzim, kuarc të tymosur për stabilitet, ametist të gjelbër për pafajësi dhe kuarc të pastër për forcimin e synimeve dhe vetëdijes.
Artistja pranoi se nuk është e sigurt nëse ndikimi i saj është psikologjik, por beson se kristalet mbajnë energji.
“Ndoshta është thjesht mendore, por ndihem e mbrojtur. Ndihem më e qëndrueshme. Nuk e di nëse është placebo, por besoj se këto gjëra mbajnë energji dhe energjia është reale”, tha ajo.
Rita tregoi se varësen e vendos sa herë që ka mundësi, ndërsa kur nuk përputhet me veshjen, e mban në çantë. “Është gjithmonë me mua”, shtoi këngëtarja.
Gjatë intervistës, Ora foli edhe për ndikimin e traditave familjare dhe bestytnive në jetën e saj.
“Po, jam supersticioze. Mendoj se ne, evropianët lindorë, sidomos unë që vij nga një familje shqiptare, jemi rritur me bestytni. Gjyshja ime bënte gjithmonë rituale nën dritën e hënës së plotë dhe lexonte filxhanin e kafesë të kthyer përmbys, sikur të ishte një hartë e së ardhmes”, rrëfeu ajo.
Aktualisht, Rita Ora po promovon filmin “Descendants: Wicked Wonderland”, ku interpreton rolin e Mbretëreshës së Zemrave. Paralelisht, ajo ka përfunduar xhirimet e filmave “Honeymoon With Harry” dhe “Voltron”, ndërsa vijon të punojë për projekte të reja muzikore dhe koncertet e saj në Evropë.