Home ShowBiz Elvana Gjata rrëfen sfidat e famës: “Helmi në internet kaloi çdo kufi”
Elvana Gjata rrëfen sfidat e famës: “Helmi në internet kaloi çdo kufi”
0

Elvana Gjata rrëfen sfidat e famës: “Helmi në internet kaloi çdo kufi”

0
0

Këngëtarja e njohur shqiptare, Elvana Gjata, ka ndarë detaje të rralla nga jeta e saj personale dhe profesionale gjatë një interviste në “The Dalina Show”, ku foli hapur për famën, paragjykimet, dashurinë dhe dëshirën për t’u bërë nënë.

Artistja pranoi se një nga gjërat që e ka lënduar më shumë gjatë karrierës ka qenë mënyra sesi kritikat profesionale janë kthyer shpesh në sulme personale në rrjetet sociale.

“Ajo pjesa që më lëndoi dhe nuk mund ta mohoj më është që kaloi në një histeri të pakontrolluar dhe të pakuptimtë. Kaloi nga një kritikë profesionale në një helm personal,” u shpreh Elvana.

Megjithatë, ajo theksoi se si figurë publike e ka pranuar këtë realitet si pjesë të famës dhe ekspozimit publik.

“Duke qenë figurë publike, e pranoj edhe këtë, që duhej paguar edhe kjo faturë, sepse interneti kështu bën,” tha këngëtarja.

Gjatë intervistës, Elvana foli edhe për mënyrën se si përballet me periudhat e vështira të jetës. Ajo tregoi se nuk ka zgjedhur kurrë të kërkojë ndihmë profesionale, por është mbështetur tek forca personale dhe muzika si mënyra më e fortë e shprehjes emocionale.

“Të gjitha momentet më të vështira të jetës time kam zgjedhur që t’i kaloj me veten, pa alkool, pa ilaçe, asgjë që s’ka të bëjë me forcën që kam gjetur brenda vetes time,” u shpreh ajo.

Për Elvanën, muzika ka qenë gjithmonë mënyra më e pastër për të reaguar ndaj dhimbjes dhe emocioneve të forta.

“Kam kuptuar që ndonjëherë jam edhe më kreative kur provokohem,” tha artistja.

Këngëtarja preku edhe paragjykimet që, sipas saj, ekzistojnë ndaj grave të suksesshme në shoqëri. Ajo u shpreh se suksesi i një gruaje shpesh kuptohet, por nuk pranohet lehtë.

“Mendoj që nuk pranohet lehtë në shoqërinë tonë që një femër të jetë e suksesshme dhe e zonja e vetes,” deklaroi ajo.

Në intervistë, Elvana ndau edhe mendimet e saj për dashurinë, të cilën e konsideron një forcë që frymëzon dhe ndihmon njeriun të bëhet më i mirë.

“Dashuria nuk janë fjalët e bukura, por janë veprat,” tha këngëtarja, duke shtuar se një marrëdhënie e vërtetë duhet të japë siguri, besim dhe mbështetje.

Artistja foli edhe për stilin e saj të jetesës dhe kujdesin ndaj ushqimit, duke zbuluar se shumicën e kohës ushqehet në mënyrë vegane. Sipas saj, ushqimi i shëndetshëm ka ndikuar jo vetëm tek energjia dhe forma fizike, por edhe në shëndetin e familjes së saj.

Madje, ajo zbuloi se ka një ëndërr personale për të pasur një fermë të sajën në të ardhmen.

Në fund të intervistës, Elvana nuk e fshehu dëshirën për t’u bërë nënë, duke pranuar se mendimi për të pasur një fëmijë është bërë gjithnjë e më i fortë kohët e fundit.

“Është një ëndërr që dhe unë të kem bekimin që të kem një fëmijë në jetë,” tha ajo emocionuar.

Burimi;https://www.youtube.com/watch?v=57LtUBOw6-Q&t=1370s

Foto:https://www.instagram.com/elvanagjataaaa/