Gjesti ngre zërin për Zvërnecin: Vendimet të merren me përgjegjësi dhe respekt për natyrën
Këngëtari i njohur nga Peja, Gjesti, është bërë pjesë e zërave publikë që kanë reaguar për zhvillimet e fundit në Zvërnec, një zonë e cilësuar si e rëndësishme për natyrën, historinë dhe identitetin lokal.
Përmes një postimi në InstaStory, artisti ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si po trajtohet kjo zonë, duke theksuar se nuk mund të qëndrojë indiferent kur vlerat natyrore dhe trashëgimia vendosen përballë interesave ekonomike.
Sipas Gjestit, zhvillimi mund të jetë i nevojshëm, por ai duhet të bëhet me transparencë, konsultim me qytetarët dhe respekt për trashëgiminë që nuk mund të zëvendësohet.
“Uroj që çdo vendim të merret me përgjegjësi, me dëgjimin e qytetarëve dhe me respekt për natyrën”, ka shkruar ai në reagimin e tij.
Fituesi i “Big Brother VIP Albania 4” ka lënë të kuptohet se zëri i komunitetit dhe ruajtja e vlerave të zonës duhet të jenë prioritet në çdo vendimmarrje që lidhet me Zvërnecin.
Postimi i tij vjen në një kohë kur çështja e Zvërnecit ka nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale dhe në opinionin publik. Reagimi i Gjestit është komentuar nga ndjekësit si një mesazh në mbrojtje të natyrës, historisë dhe identitetit të kësaj zone.
Burimi; https://www.instagram.com/gjestt/
Foto; https://www.instagram.com/gjestt/