Monika Lubonja reagon pas publikimit të materialeve intime: “Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë”
Aktorja Monika Lubonja ka reaguar publikisht pas shpërndarjes online të materialeve intime që, sipas raportimit të Telegrafit, e përfshijnë atë dhe kompozitorin Adrian Hila. Në një deklaratë në Instagram, ajo ka folur për cenimin e privatësisë dhe ka bërë të ditur se ka ndërmarrë hapa ligjorë.
Lubonja ka publikuar një kopje të dokumentit që e paraqet si kallëzim penal ndaj kompozitorit. Në reagimin e saj, aktorja thotë se nuk ka qenë në dijeni të regjistrimeve dhe se nuk ka dhënë pëlqimin për filmimin apo shpërndarjen e materialeve intime.
“Ju drejtohem sot me dhimbjen e një gruaje së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia, por edhe me vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj”, shkruan ajo.
Aktorja kundërshton gjykimet ndaj saj, duke theksuar se ndjenjat dhe besimi që ka dhënë në një marrëdhënie nuk janë arsye për t’u turpëruar.
“Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të regjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje”, shprehet Lubonja.
Në deklaratën e saj, ajo thekson gjithashtu se dinjiteti i ndërtuar gjatë jetës nuk mund të zhbëhet nga veprimet e një personi të cilit i ka besuar dhe i ka kushtuar disa vite të jetës.
Lubonja u është drejtuar mediave me kërkesën që të respektojnë privatësinë e saj, të mos publikojnë materiale intime dhe të shmangin spekulimet rreth tyre.
Një apel ka pasur edhe për opinionin publik, të cilit i kërkon të mos e trajtojë përjetimin e saj si argëtim dhe të mos e gjykojë për besimin e dhënë në marrëdhënie.
“Opinionit publik i kërkoj të mos e kthejë dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë”, përfundon aktorja.