Kim Kardashian mbetet e vendosur për t’u bërë avokate, edhe pasi nuk arriti ta kalonte provimin e avokatisë në Kaliforni në vitin 2025.
Në një prononcim për revistën People, gjatë një eventi në New York për serialin “All’s Fair”, ajo tregoi se synon t’i rikthehet provimit kur të ketë kohën e nevojshme për t’u përgatitur.
“Gjithmonë e kam në mendje provimin e jurisprudencës. Do ta marr kohën time dhe do të pres momentin e duhur, kur të kem pak kohë të lirë për t’u përqendruar tek ai”, u shpreh Kardashian.
Mbështetje i ka dhënë edhe kolegia e saj në serial, Sarah Paulson, e cila tha se beson që Kim do të bëhet një avokate e shkëlqyer.
Kardashian i bëri publike planet për të ndjekur profesionin e babait të saj të ndjerë, Robert Kardashian, në vitin 2019, pas angazhimit në reformën e drejtësisë penale. Ajo zgjodhi programin alternativ “Law Office Study Program” në Kaliforni, që përfshin studimin dhe praktikën nën mbikëqyrjen e një avokati.
Pas përfundimit të programit, ajo iu nënshtrua provimit në korrik të vitit 2025, por nuk arriti ta kalonte. Kardashian e konfirmoi rezultatin përmes një postimi në Instagram, duke theksuar se nuk do të hiqte dorë nga synimi për t’u bërë avokate e licencuar.