1. Home
  2. ShowBiz
  3. Victoria Beckham i kalon Brooklyn-it të drejtat tregtare të emrit të tij, një përpjekje për pajtim në familje
Victoria Beckham i kalon Brooklyn-it të drejtat tregtare të emrit të tij, një përpjekje për pajtim në familje
0

Victoria Beckham i kalon Brooklyn-it të drejtat tregtare të emrit të tij, një përpjekje për pajtim në familje

0
0

Victoria Beckham ka ndërmarrë një hap që po interpretohet si përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me djalin e saj të madh, Brooklyn Beckham. Ish-anëtarja e grupit Spice Girls i ka kaluar atij kontrollin e plotë mbi markën tregtare që mban emrin e tij, rreth dhjetë muaj pas akuzave publike që 27-vjeçari kishte bërë ndaj prindërve.

Çështja e të drejtave tregtare të emrit të tij ishte një nga pikat kryesore të konfliktit që çoi në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Brooklyn-it dhe familjes Beckham. Sipas raportimeve, që prej 17 nëntorit, ai është bërë zotëruesi i vetëm i markës tregtare, të cilën nëna e tij e kishte regjistruar në vitin 2016, kur ai ishte ende i mitur.

Victoria Beckham, 52 vjeçe, kishte regjistruar marka tregtare edhe për tre fëmijët e tjerë: Romeo, 24 vjeç, Cruz, 21 vjeç dhe Harper, 15 vjeçe. Kjo ishte pjesë e një strategjie për të mbrojtur emrat e tyre nga përdorimi komercial pa autorizim.

Marka tregtare e Brooklyn-it përfshinte disa kategori produktesh dhe shërbimesh, mes tyre kozmetikë, veshje, artikuj sportivë, programe televizive dhe muzikë.

Meqenëse regjistrimi duhej të rinovohej këtë vit, Victoria Beckham dorëzoi dokumentacionin përkatës pranë Zyrës Britanike të Pronësisë Intelektuale, duke hequr dorë nga kontrolli mbi markën dhe duke ia kaluar atë djalit të saj.

Raportohet se ajo ka ndërmarrë hapa të ngjashëm edhe për dy djemtë e tjerë, ndërsa vajza e saj, Harper, është ende e mitur. Nga ana tjetër, Brooklyn-it i është dashur të aplikojë vetë për rinovimin e markës dhe marrjen e plotë të kontrollit mbi të.

Ky veprim po shihet si një përpjekje e Victoria Beckham për të rikthyer komunikimin me djalin e saj të madh, me të cilin thuhet se ka pasur shumë pak kontakte gjatë gati dy viteve të fundit.

Akuzat e Brooklyn Beckham ndaj prindërve

Të drejtat tregtare të emrit të tij ishin një nga çështjet që Brooklyn Beckham kishte përmendur në një deklaratë të gjatë të publikuar në Instagram në janar të këtij viti.

Përveç akuzave se prindërit e tij vendosnin markën familjare “Brand Beckham” mbi gjithçka tjetër dhe se kishin tentuar të dëmtonin marrëdhënien e tij me bashkëshorten, Nicola Peltz, 27-vjeçari pretendonte se ishte vënë nën presion për të hequr dorë nga të drejtat mbi emrin e tij përpara martesës në vitin 2022.

“Disa javë përpara ditës sonë të madhe, prindërit e mi më ushtruan vazhdimisht presion dhe u përpoqën të më korruptonin që të firmosja kalimin e të drejtave të emrit tim, gjë që do të ndikonte tek unë, bashkëshortja ime dhe fëmijët tanë të ardhshëm”, kishte deklaruar ai.

Brooklyn pretendonte gjithashtu se prindërit këmbëngulnin që dokumentet të firmoseshin përpara dasmës, pasi kushtet e marrëveshjes do të hynin në fuqi pas martesës. Sipas tij, refuzimi për të nënshkruar kishte ndikuar në përfitimet financiare dhe kishte ndryshuar mënyrën se si familja sillej ndaj tij.

Brooklyn dhe bashkëshortja e tij, Nicola Peltz, të cilët jetojnë në Los Angeles, nuk kanë pasur kontakte me familjen Beckham që prej publikimit të deklaratës së tij, pavarësisht përpjekjeve të David dhe Victoria Beckham për të përmirësuar marrëdhëniet.

Ndërkohë, Brooklyn ka krijuar tashmë markën e tij tregtare, Cloud23, përmes së cilës është futur në tregun e salcave pikante. Me marrjen e kontrollit të plotë mbi emrin e tij, ai tashmë mund të krijojë edhe linja të tjera produktesh që mbajnë emrin e tij.

David Beckham e kishte regjistruar emrin e tij si markë tregtare në vitin 2000, ndërsa Victoria kishte bërë të njëjtën gjë në vitin 2002, në kohën kur po niste karrierën e saj muzikore si artiste solo.