Këngëtari i njohur shqiptar Arian Agushi, i njohur për publikun si Gold AG, ka qenë i ftuar në “Grida Duma Podcast”, ku ka folur për lidhjen e tij me UÇK-në, patriotizmin, besën, besimin dhe dashurinë për Shqipërinë.
Gjatë bisedës, artisti u ndal te vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke treguar se lajmi e kishte tronditur rëndë emocionalisht.
“M’u mor fryma kur u dënuan krerët e UÇK-së, gati pësova infarkt”, deklaroi Gold AG. Ai shtoi se në ato momente mendonte edhe për djalin e tij, pasi nuk dëshironte që ngjarja të ndodhte në praninë e fëmijës.
Këngëtari foli gjithashtu për sakrificën e dëshmorëve dhe historinë e luftës, duke pretenduar se shumë prej heronjve shqiptarë ishin vrarë në prita. Ai ngriti akuza edhe ndaj personave që, sipas tij, kanë dëmtuar çështjen shqiptare përmes tradhtisë dhe spiunimit.
Gjatë rrëfimit, Gold AG zbuloi edhe pjesë nga takimet që ka zhvilluar në burg me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua patriotizmit dhe raportit të tij me Shqipërinë. “Shqipërinë e kemi dashur pa kushte”, u shpreh artisti, duke theksuar se ndjenjat kombëtare kanë qenë vazhdimisht të pranishme në jetën dhe krijimtarinë e tij.
Gold AG foli edhe për besimin fetar dhe mënyrën se si dëshiron t’i edukojë fëmijët. Ai rikujtoi gjithashtu arrestimin e tij në Greqi, që, sipas këngëtarit, lidhej me këngët kushtuar Çamërisë.
“Kurrë në jetë nuk shkoj të pushoj në Greqi”, deklaroi ai, duke shprehur edhe një herë qëndrimin e tij të prerë.
Intervista në “Grida Duma Podcast” solli një rrëfim emocional dhe të drejtpërdrejtë, në të cilin Gold AG ndau bindjet, përjetimet dhe disa nga historitë më personale të jetës së tij.