Selena Gomez ka folur sërish për dëshirën e saj të madhe për t’u bërë nënë, duke deklaruar se në një të ardhme do të krijojë familjen e saj.
Kjo deklaratë vjen dy vite pasi këngëtarja dhe sipërmarrësja 34-vjeçare zbuloi publikisht se nuk mund të mbetet shtatzënë për shkak të problemeve të saj shëndetësore.
Gjatë pjesëmarrjes në Festivalin e Inovacionit të “Fast Company” në Nju Jork, ku foli për ecurinë e kompanisë së saj Rare Beauty dhe fondacionit Rare Impact Fund, Gomez u shpreh e mrekulluar nga ndikimi i punës së saj në ndërgjegjësimin e shëndetit mendor.
“Ajo që më bën krenare është se e di që po bëjmë vërtet ndryshim. Mendoj se ka ende një stigma të madhe rreth këtyre temave. Kam një motër 13-vjeçare që do të thotë gjithçka për mua dhe një ditë do të kem fëmijët e mi, nuk dua që kjo të jetë një temë tabu. Nuk më prish punë nëse njerëzit mendojnë se është diçka ‘e pazakontë’, por e dua atë që kemi arritur dhe besoj se do të vazhdojmë të evoluojmë.”
Deklarata e saj vjen vetëm pak ditë pasi bashkëshorti i saj, Benny Blanco, shprehu publikisht gatishmërinë për t’u bërë baba. Në një intervistë për emisionin “Today” dhe podcast-in “Open Book with Jenna”, Blanco deklaroi: “Po bëj gjithçka që mundem për ta çuar këtë përpara. Dua të jem prindi dhe partneri më i mirë. Jam shumë i emocionuar për ditën kur kjo të ndodhë përfundimisht.”
Në vitin 2024, gjatë një interviste për revistën Vanity Fair, Gomez kishte rrëfyer se për shkak të luftës me sëmundjen e lupusit dhe çrregullimit bipolar, një shtatzëni do të vinte në rrezik jetën e saj dhe të foshnjës.