Një përballje e tensionuar mes Doresës dhe Jona Krasniqit u zhvillua gjatë spektaklit “Prime” të Big Brother VIP Kosova 5, pas akuzave për bullizim dhe komenteve të vjetra që kanë qarkulluar në rrjetet sociale.
Doresa u lidh drejtpërdrejt nga Gjermania, ndërsa Lejla Hoxha hyri në shtëpinë e BBVK 5 për të diskutuar polemikat që kanë përfshirë vajzat ditët e fundit.
Gjatë debatit, Jona kundërshtoi pretendimet e Doresës. Ajo pranoi përgjegjësi për komentet ndaj influencueseve të tjera, por pretendoi se edhe Doresa e kishte bullizuar për tre deri në katër muaj.
Kjo deklaratë solli reagimin e Doresës, e cila e akuzoi Jonën se i kishte shkaktuar vuajtje dhe vuri në dyshim qëndrimet e saj për feminizmin.
“Ti s’je feministe, ti më ke bullizuar, ti ma ki nxi jetën”, u shpreh ajo.
Doresa foli gjithashtu për pasojat e rënda emocionale që, sipas saj, kishte përjetuar gjatë asaj periudhe, duke këmbëngulur në akuzat ndaj Jonës.
Përballja përfundoi pa një kërkimfalje mes tyre. Të dyja iu qëndruan pretendimeve të tyre, pa arritur në një pajtim gjatë spektaklit.