Roland Mouret rrëfen përplasjen me Meghan Markle: “Më ke turpëruar”
Stilisti Roland Mouret ka rrëfyer në librin e tij të kujtimeve një përplasje telefonike me Meghan Markle, e cila, sipas tij, ndodhi pasi lidhja e saj me princin Harry u bë publike.
Në fragmente të librit “I Am Roland Mouret: The Butcher’s Boy Who Dressed the World”, të publikuara nga Daily Mail, dizajneri tregon se gjithçka nisi nga një situatë që lidhej me kthimin e disa fustaneve të huazuara.
Sipas rrëfimit të tij, një punonjëse e ekipit kishte kontaktuar stilisten e Kate Middleton në pallat gjatë përpjekjes për të organizuar kthimin e veshjeve. Ky veprim, pretendon Mouret, e zemëroi Meghanin, e cila e telefonoi për t’i kërkuar shpjegime.
“Ti nuk e kupton çfarë ke bërë! Më ke turpëruar”, i kishte thënë ajo, sipas stilistit.
Mouret shkruan se kërkoi falje për veprimin e punonjëses, por Meghan nuk e pranoi shpjegimin dhe i tha se nuk do t’i vishte më krijimet e tij. Ai e përshkruan këtë si një vendim personal të saj, duke theksuar se pallati mbretëror dhe Kate nuk kishin pasur përfshirje në konflikt.
Stilisti dhe Meghan ishin njohur në vitin 2015 në Turqi, përpara martesës së saj me princin Harry.
Megjithatë, sipas materialit të publikuar, Meghan është shfaqur sërish me një fustan të Mouret në një reklamë në Instagram për markën e saj “As Ever”, çka sugjeron se vendimi për të mos veshur krijimet e tij nuk ka qenë përfundimtar.