“Kënga Magjike” këtë vit ka ardhur me ndryshime dhe risi në formatin e saj.
E ndërsa këngët kanë nisur të prezantohen për publikun çdo të diel, ka rezultuar se disa prej tyre po rrisin shikueshmërinë me klikime të blera.
Acromax Media ka konstatuar dhe zbuluar se këngëtarët ose publikuesit e tyre kanë blerë klikime për të promovuar këngët pjesëmarrëse.
Këtë konstatim më pas ia ka përcjellë Tv Klan, klientit të saj, dhe Ardit Gjebrea, producentit të emisionit, ku ky i fundit ka bërë një postim dedikuar këtij fenomeni në llogarinë e tij në Instagram.
Ardit Gjebrea ka bërë një paralajmërim të fortë për të gjithë këngëtarët që janë pjesëmarrës, lidhur me klikimet e blera duke shtuar faktin se do të merren masa për ta.
Ai ka postuar disa foto në rrjetet e tij sociale duke nxjerr zbuluar për publikun gënjeshtrën e klikimeve.
“Një nga problemet e publikimit të këngëve në YouTube, janë edhe klikimet e blera. Sipas një kontrate të produksionit të Kënga Magjike me artistët pjesëmarrës, janë vetë artistët të cilët publikojnë në kanalet e tyre këngët në YouTube, sipas marrëveshjeve të ndryshme me botuesit që ata preferojnë. Të parët janë ata të cilët janë në dijeni të klikimeve të blera dhe në bashkëpunim me publikuesit e tyre blejnë klikime.
Të dytët janë ata të cilët paguajnë para tek publikuesit për promocion të këngës dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por publikuesit i bien shkurt, në vend të një strategjie investuese promovimi, i blejnë klikimet (sepse kushtojnë më pak dhe janë më rentabël se sa një fushatë promovimi) Artistët nuk dinë gjë, por njollosen.
Me këtë status, do bëja një thirrje për gjithë artistët pjesëmarrës në Kënga Magjike 2022 që të kërkojnë nga publikuesit raporte të vazhdueshme të klikimeve se nga u vijnë, në mënyrë që të parandalojnë blerjen e një gënjeshtre të madhe (siç janë edhe “fansat” nga India dhe Filipinet që po çmenden për këngët shqiptare).”- shkruan Arditi krahas postimit të tij.
Ndërsa një reagim ka ardhur edhe nga drejtori dhe pronari i kompanisë Acromax, Aldor Nini.
“Acromax si strategji ka promovimin e muzikës në formën e pastër të marketingut real, pa fallcifikuar klikime. Sidomos pas disa ndryshimeve në strukturën e departamentit të muzikës, ka vendosur të merren masa drastike në treg për kompanitë që ofrojnë klikime fallco dhe prishin jo vetëm tregun, por edhe reputacionin e artistëve me famë të vërtetë”, është shprehur Aldor Nini.
Linku: https://www.instagram.com/p/CkEgkG3LokY/?utm_source=ig_web_copy_link
Burimi i fotos: https://www.instagram.com/kengamagjikeofficial/