Home Business / Technology Viti i ndryshimeve në rrjetet sociale: Twitter shkoi, Threads erdhi, IA hyri në lojë
Viti i ndryshimeve në rrjetet sociale: Twitter shkoi, Threads erdhi, IA hyri në lojë
0

Viti i ndryshimeve në rrjetet sociale: Twitter shkoi, Threads erdhi, IA hyri në lojë

0
0

E humbëm Twitter-in dhe e fituam X-in. I provuam Bluesky-in dhe Mastodon-in (epo, disa nga ne e bëmë). U shqetësuam për ‘bot’-ët e inteligjencës artificiale (IA) dhe për shëndetin mendor të të rinjve. Kaluam kohë në biseda private online dhe u sorollatëm pafundësisht nëpër rrjete sociale siç bënim edhe në vitet e kaluara. Për përdoruesit e rrjeteve sociale, viti 2023 ishte një vend i fillimeve dhe i mbarimeve.

Më poshtë mund t’i lexoni disa prej ndodhive më të mëdha në rrjetet sociale më 2023 – si dhe çfarë të presim vitin e ardhshëm:

Lamtumirë Twitter

Para pak më shumë se një viti, Elon Musk u fut në zyrat qendrore të Twitter-it në San Francisko, e shkarkoi shefin ekzekutiv të tij dhe shefat e tjerë të lartë, duke e nisur shndërrimin e platformës së rrjetit social në atë që sot njihet si X.

Për shkak të natyrës publike dhe për shkak se tërhiqte figura publike, gazetarë dhe përdorues të tjerë të profilit të lartë, Twitter-i gjithmonë ka pasur ndikim të madh në kulturën popullore – por ky ndikim duket se po shkon drejt shuarjes.

“Kishte shumë telashe edhe para se Musku ta merrte në dorë, ishte një markë e dashur me një rol të qartë në mjedisin e rrjeteve sociale”, tha Jasmine Enberg, analiste rrjeteve sociale në Insider Intelligence.

Prej se u ble nga Musk, X-i është bombarduar me akuza për keqinformim dhe racizëm, ka pësuar humbje të mëdha financiare dhe rënie në përdorim. Musku tha se reklamuesit të cilët u tërhoqën ishin të përfshirë në “shantazh” dhe u kërkoi atyre të “zhdukeshin”.

Duke i mirëpritur përdoruesit të cilët ishin pezulluar nga ish-Twitter për shkak të gjuhës së urrejtjes, apo përhapjes së keqinformimit, në dhjetor, Musku ia ktheu llogarinë teoricienit konspirativ Alex Jones, duke u bazuar në një sondazh joshkencor që e kishte bërë me ndjekësit e vet. Jones e kishte cilësuar vazhdimisht si të rremë sulmin me të shtëna në shkollën Sandy Hook më 2012.

Përshëndetje X, Threads dhe Bluesky

Ndër ambiciet e Muskut për X-in është edhe shndërrimi i kësaj platforme në një “aplikacion për gjithçka” – sikurse WeChat në Kinë, për shembull. Puna është se nuk dihet nëse audiencat në SHBA dhe Perëndim janë të etura për një ide të tillë. Edhe vetë Musku është i paqartë për hollësitë.

Derisa X-i po vuan nga një krizë e identitetit, disa përdorues janë në kërkim të një zëvendësuesi. Mastodon ishte njëri nga kandidatët, bashkë me Bluesky, i cili doli nga Twitter në fakt.

Dhjetëra mijëra njerëz, shumica përdorues të ngopur me Twitter-in, filluan të regjistrohen në aplikacionin Bluesky në pranverë, i cili ende funksionon vetëm me ftesa. Ky aplikacion ka më pak se vetëm 10 punëtorë, thotë drejtoresha e tij ekzekutive, Jay Graber.

Kjo nënkuptoi “përpjekjet për ta bërë çdo gjë të jetë funksionale, për t’i mbajtur njerëzit online, përpjeke për të shtuar veçori të cilat i kishim në udhëzues”, tha ajo, duke shtuar se “puna vetëm sa po rritej për t’u siguruar se sistemet mund ta përballonin fluksin e njerëzve”.

Linku:

Foto: Freepik.com

tags: