Grida Duma ka folur për anën e saj emocionale dhe jetën larg kamerave gjatë një bisede në emisionin “Goca dhe Gra”, duke treguar se imazhi i një gruaje gjithmonë të fortë ka pasur edhe një kosto personale.
E pyetur nga Ema Andrea për pikën e saj të dobët, moderatorja tha se ajo lidhet pikërisht me forcën që shfaq përballë të tjerëve.
“Të jesh gjithnjë e fortë largon njerëz nga vetja”, u shpreh Duma, duke shtuar se i mungon empatia dhe ndjesia që dikush ta kuptojë kur po kalon vështirësi.
Kur biseda u ndal te pyetja nëse e kishte paguar lirinë me vetmi, ajo u përgjigj: “Absolutisht po”.
Duma pranoi se do të dëshironte të ishte më e butë me veten dhe të mos ndihej vazhdimisht e detyruar të përballonte gjithçka me forcë. Sipas saj, njerëzit mësohen me një imazh të caktuar dhe më pas bëhet e vështirë t’ua ndryshosh atë perceptim.
Moderatorja foli edhe për peshën e detyrimeve në përditshmëri. Ajo tregoi se ende po kërkon hapësirën për të ndjekur dëshirat personale, pa i lidhur gjithmonë me përgjegjësitë dhe atë që duhet të bëjë.